Edinson Kavani insiston se asgjë nuk ka ndryshuar në këndvështrimin e tij pasi ka mësuar se Napoli ka refuzuar një ofertë prej 55 milion eurosh për të. Sulmuesi uruguaian është një nga lojtarët më të vlerësuar në Itali për shkak të vazhdimësisë me të cilën shënon në nivelet më të larta, ashtu si në këtë sezon ku ka gjetur 13 herë rrugën e rrjetës në pjesën e parë të kampionatit.
Kjo ofertë masive nga një klub i paidentifikuar ende, duket se nuk ka shqetësuar lojtarin, i cili insiston se vlerësimi i lartë vjen falë punës që ka bërë në të gjithë këto vite.
“Asgjë nuk ndryshon për mua. Kjo vlerë është rezultat i shumë viteve punë dhe faktit që kam dhënë gjithmonë më të mirën”, ishin fjalët e Kavanit për “Diario Salto” në vendlindjen e tij.
Ishte vetë presidenti i Napolit, De Laurentis, ai që konfirmoi dy ditë më parë se kishte refuzuar këtë ofertë masive për futbollistin, duke bërë të qartë se nuk dëshironte të hiqte dorë nga lojtari mbi të cilin kishte varur shpresat për sigurimin e trofeve në të ardhmen. (LajmeShqip.com)
Friday, 28 December 2012 10:20