Edicioni 2015/16 i Superligës në basketboll mund të startojë me shtatë skuadra, pasi ekipi i Kastriotit ka hequr dorë nga pjesëmarrja në prag të nisjes së garës.
Zyrtarët e klubit nga Ferizaj kanë konfirmuar mospjesëmarrjen në Superligë në edicionin e ri, që do të nisë këtë fundjavë. Ata kanë bërë të ditur se të mërkurën (sot) nëpërmjet një shkrese zyrtare do ta njoftojnë edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës për vendimin.
Arsyeja e mospjesëmarrjes së Kastriotit në elitë është mungesa e mjeteve financiare, ka bërë të ditur të hënën sekretari i Kastriotit, Alberton Sahiti, shkruan sot Koha Ditore. Ai ka thënë se klubi do të fokusohet në punën me gjeneratat e reja, në mënyrë që brenda dy vjetëve të krijojë ekip të denjë.
“Gjendja financiare në klub është shumë e rëndë, po ashtu nuk kemi edhe lojtarë dhe përgatitjet nuk i kemi nisur fare. Ne kemi shpresuar të marrim pjesë në Superligë këtë edicion, por përkrahja ishte shumë e vogël dhe nuk duam që të përballemi me të njëjtat probleme që i kishim edhe edicionin e shkuar”, është shprehur Sahiti. “Gjatë tërë kësaj kohe nuk jemi interesuar as për transferime të lojtarëve, pasi mundoheshim ta përmirësonim gjendjen financiare. Tash e tutje, fokusi ynë do të jetë vetëm te gjeneratat e reja”.
Skuadra e Kastriotit edhe pse ra nga Superliga edicionin e shkuar, arriti të mbetet në elitë pas përjashtimit të Besës për falsifikim dhe triumfit në ndeshjet e plejautit përballë ekipit të Newbornit.
“Do ta njoftojmë zyrtarisht FBK-në dhe njëkohësisht do ta falënderojmë për mundësitë e shumta që na i dha dhe pritjen që bëri për ne. Fajtorët kryesorë për mospjesëmarrje në Superligë jemi ne, për shkak se nuk gjetëm përkrahje”, ka thënë Sahiti, duke shtuar se Kastrioti nuk e ka paguar as kuotizimin.
Tuesday, 29 September 2015 15:35