Iker Kasijas duket se i ka vënë objektiv vetes që të arrijë të ngrejë lart trofeun e Ligës së Kampioneve, që do të ishte i 10-ti për ekipin e Real Madrid. Për të arritur këtë objektiv, portieri dhe njëkohësisht kapiteni i madrilenëve, nuk ngurron të theksojë se është gati të heqë dorë plotësisht nga lufta për titullin kampion.
“Jam gati të firmos që tani që ta mbyllim kampionatin me 25 pikë diferencë nga Barça, nëse në fund arrijmë të marrim Ligën e Kampioneve numër 10”, ka deklaruar ai.
I pranishëm në një mbrëmje të organizuar nga gazeta “AS”, ku është përzgjedhur mes personaliteteve sportive të vitit, ai ka treguar se është një tifoz i Atletiko Madrid, por vetëm kur kjo skuadër do të vihet përballë Barcelonës, në mënyrë që rivalët e përjetshëm të ndalen në rrugën e tyre drejt titullit kampion.
“Njerëzit më pyesin për ndeshjen Barça-Atletiko Madrid të të dielës. Logjikisht, do të më pëlqente që të humbnin të dyja, pasi qëndrojnë para nesh në klasifikim, por kjo nuk është e mundur. Atëherë, për interes personal, ajo që na shërben më tepër është që Barcelona të humbasë pikë, meqë është kryesuese e kampionatit”, tha Kasijas. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 11 December 2012 11:35