Iker Kasijas ka bërë të qartë se lojtarët që kanë bërë të lavdishëm emrin e Spanjës në arenën e futbollit botëror, mund të vendosin të largohen nga kjo përfaqësuese pasi të tentojnë të fitojnë edhe një herë titullin Kampion Bote në Brazil pas dy vitesh. Kapiteni i spanjollëve mendon se ky objektiv që i kanë vënë vetes nuk është aspak i lehtë.
“Të fitojmë një tjetër botëror nuk do të jetë aspak e lehtë, edhe për faktin se jemi favoritë. Ai aktivitet do të jetë akti përfundimtar i një skuadre të jashtëzakonshme. Pas Brazil 2014 do të ketë shumë lojtarë që do të vendosin, apo do të vendosim, që të largohemi nga kombëtarja për t’i bërë vend më të rinjve”, ka zbuluar portieri spanjoll, duke lënë të kuptohet se kjo temë është diskutuar mes veteranëve të përfaqësueses, atyre lojtarëve që kanë qenë protagonistë të padiskutueshëm në dy titujt Kampion Evrope dhe 1 titull Kampion Bote brenda 5 viteve të fundit.
Në fjalët që Kasijas foli para një grupi fëmijësh, ai tregoi edhe gëzimin më të madh të karrierës së tij, titullin Kampion Bote dhe momentin kur ka ngritur lart kupën në Afrikën e Jugut.
“Kur ngrita Kupën e Botës ndjeva një përzierje mes gëzimit dhe inatit, pasi më në fund thyem fatin e keq që na ka ndjekur. Ju fëmijët nuk jeni të ndërgjegjshëm për të kaluarën, por prindërit tuaj po. Mendoj se kam arritur të nxjerr përsëri në plan të parë figurën e portierit”, tha futbollisti që mban shiritin e kapitenit në kombëtare dhe te Real Madrid. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 05 December 2012 17:18