Kapiteni legjendar i Brazilit, Karlos Alberto Torres, ka deklaruar se është pesimist rreth shanseve që ka kombëtarja e vendit të tij për të fituar Kupën e Botës në vitin 2014.
Brazili ka patur vështirësi gjatë kohëve të fundit nën drejtimin e trajnerit Mano Menezes, duke përfshirë një paraqitje të dobët në Kupën e Amerikës gjatë vitit të kaluar si dhe disa humbje me rivalët direkt në miqësore.
Me organizimin e Kupës së Botës për herë të parë që nga viti 1950, pritet që Brazili të dhurojë një paraqitje spektakolare, por Karlos Alberto, i cili ishte kapiteni i skuadrës që triumfoi në vitin 1970, ka dyshime se fitorja nuk do të jete mundur.
“Të gjithë duan ta shohin Brazilin të shpallet kampion në vendin tonë. Por ne duhet të jemi të përgatitur për një gjë të tillë. A do të fitojë Brazili? A do të ketë një skuadër për ta fituar trofeun? Unë jam optimist, por njëkohësisht edhe realist. Sot, Brazili nuk ka ekip”, tha ai.
“Ne duhet të kujtojmë që në dy edicionet e fundit të Kupës së Botës ne kishim skuadra shumë më të mira se kjo aktuale dhe përsëri nuk fituam. Aktualisht në Evropë ka kombëtare që janë në një nivel më të lartë si Spanja apo Gjermania. Shumë pak njerëz flasin për Gjermaninë por sipas meje ajo do të jetë favoritja kryesore”, deklaroi Karlos Alberto. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 January 2012 16:19