Edmond Kapllani duket se po kthehet në formën e tij më të mirë, për të treguar se ka ende për të dhënë në futboll. Sulmuesi durrsak po përjeton një rini të dytë me skuadrën e FSV Frankfurt, ku pas dy pasimeve të dhëna në dy ndeshjet e para të Bundesligës 2, në të tretën ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës.
Sulmuesi ka shënuar dy gola prej sulmuesi të mirëfilltë zone, në po aq raste që ka patur gjatë ndeshjes. Në minutën e 42-të, pas një goditje dënimi të Jelen, Kapllani ka devijuar topin me kokë në portën kundërshtare duke kaluar në avantazh skuadrën e tij që deri në ato momente kishte qëndruar vetëm në mbrojtje.
Goli i dytë, i shënuar në minutën e 78-të, ishte një veprim mjaft i bukur teknik, pasi Kapllani iu shmang mbrojtësit Biliskov me një rrotullim në zonë dhe pastaj dërgoi topin aty ku portieri kundërshtar nuk mund të arrinte.
Me një formë të tillë, Kapllani duket se mund të jetë përsëri një alternativë shumë e vlefshme për kombëtaren shqiptare të futbollit, edhe për faktin se është sulmuesi më në formë shqiptar dhe po aktivizohet më rregullisht se të gjithë të tjerët. (LajmeShqip.com)
Sunday, 26 August 2012 17:33