Fabio Kapelo do të prezantohet zyrtarisht të mërkurën si trajneri i ri i Rusisë, sipas asaj që bëri të ditur presidenti i Ligës Ruse të Futbollit, Nikita Simonian. Trajneri italian ka ndjekur gjatë fundjavës ndeshjet e kampionatit rus, duke filluar nga takimi mes CSKA Moskës dhe Rostov, ku ka parë lojtarët e ekipit kryeqytetas që janë kandidatë për ekipin kombëtar.
“Pas kësaj ndeshje ai shkon në Shën Petersburg për të parë kampionët e Zenit. Pas asaj ndeshje do të udhëtojë për në Itali dhe vetëm më pas do të kthehet në Moskë. Të mërkurën do të bëhet firmosja e kontratës dhe prezantimi i tij para mediave”, ishte deklarata e Simonian.
Italiani 66 vjeçar, i cili bëhet trajneri i tretë i huaj radhazi që merr drejtimin e Rusisë, ka për detyrë kryesore që të rinojë kombëtaren ruse, e cila ka si objektiv të shfaqet si pretendente në Botërorin e vitit 2018 që e organizon vetë.
Sipas mediave ruse, ai do të përfitojë 10 milionë euro në vit në kontratën dyvjeçare që ka nënshkruar me Federatën Ruse, ndërsa ka si opsion zgjatjen e saj edhe për dy vite të tjera pas Botërorit Brazil 2014. (LajmeShqip.com)
Monday, 23 July 2012 10:50