Fabio Kapelo është prezantuar zyrtarisht sot si trajneri i përfaqësueses ruse të futbollit në një konferencë për shtyp në Moskë.
“Jam krenar që jam trajner i kësaj kombëtareje, do të mundohem të bëj maksimumin tim në drejtimin e saj. Puna që kam marrë përsipër është edhe të ndjek nga afër sektorin e të rinjve, pasi ai është hambari i vërtetë nga i cili duhet të furnizohet kombëtarja. Kam firmosur për dy vite, që do të thotë se objektivi ynë është Botërori 2014”, ka treguar trajneri italian para gazetarëve.
“Kjo kombëtare ka potencial të madh, do të shoh shumë ndeshje dhe do të shoh praktikisht të gjithë lojtarët e spikatur, bashkë me ndihmësit e mi”, ka thënë Kapelo, i cili ka mbajtur të gjithë stafin që kishte te Anglia, duke i shtuar këtu edhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë rusë të emëruar nga Federata e këtij vendi.
“Gjëja më e rëndësishme është të transmetoj dëshirën për të fituar çdo ndeshje. Unë punoj gjithmonë vetëm për të arritur rezultate. Lojtarët rusë kanë kualitet por për të arritur fitoret duhet shumë edhe koka. Po ju jap një shembull, atë të Spanjës, e cila nuk kishte fituar asnjëherë asgjë, por nga momenti në moment u kthye në një skuadër fitimtare, që do të thotë se është edhe çështje mendore”, deklaroi Kapelo në prezantimin e tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 July 2012 16:13