Fabio Kapelo ka treguar se nuk i është dhënë rasti asnjëherë për të drejtuar Italinë edhe për faktin se ai nuk ka shfaqur kurrë një interes të tillë ndaj kësaj përfaqësueseje, duke shëtitur vende të tjera si Anglia e Rusia para se të mendojë për të marrë drejtimin e të kaltërve.
“Jam një person të cilit i pëlqen të dalë, të cilit i pëlqejnë sfidat dhe të provojë diçka ndryshe. Nuk kam pasur asnjëherë ambicien, në mënyrën absolute, të drejtoj kombëtaren italiane”, shpjegoi ai, duke zbuluar gjithashtu se tashmë i ka humbur edhe dëshira për t’u kthyer si trajner në Itali.
“Kampionati italian ka humbur shumë, lojtarët shkojnë në vende të tjera. Që Juventusi nuk do të kishte rivalë e kam thënë që në fillim. Kampionati italian nuk është më ai i kohëve të tjera. Njëherë e një kohë, lojtarët më të mirë vinin në Itali, ndërsa tani më të mirët blihen nga skuadrat e huaja, ndaj ka një rënie të cilësisë së skuadrave”, shpjegoi Kapelo.
Trajneri i njohur italian ka diskutuar më pas edhe situatën e dy trajnerëve, Masimiliano Alegrit te Milan dhe Aleks Ferguson që i dha lamtumirën Mançester Junajtid.
“Milani për mua është një familje, Alegri ka bërë një punë shumë të mirë. Kur kërkon të ndërtosh diçka me lojtarë të rinj, kërkohet kohë dhe ai ka arritur t’ia dalë mbanë, duke promovuar të rinj e duke bërë skuadrën të luajë një futboll të mirë. Ndaj mendoj se sipas meje do të ishte e mirë që të qëndronte pasi duket një trajner i përshtatshëm për Milanin”.
“Largimi i Ferguson? U çudita nga lajmi dhe e telefonova. E përshëndeta dhe më tha se kishte vendosur kështu nga stresi i tepërt. Më tha se tani do të dalë pak të shohë botën me gruan e tij dhe të argëtohet. Ai ka qenë padyshim trajneri më i madh i të gjitha kohëve”. (LajmeShqip.com)
Friday, 10 May 2013 19:42