Fabio Kapelo është trajneri i radhës që vendos të injorojë skuadrën e Liverpulit, për të zëvendësuar të shkarkuarin Keni Dalglish. Ish-trajneri i përfaqësueses angleze, i cili u largua nga kjo detyrë vetëm pak muaj më parë pas skandalit të Xhon Territ, ka treguar se nuk i intereson të marrë drejtimin e klubit legjendar anglez.
Kapelo, i cili ka fituar tituj kombëtarë me katër klube evropiane gjatë karrierës së tij si trajner, është gati për një tjetër eksperiencë në klub futbolli, por është e sigurt se nuk mendon aspak për Liverpulin, të cilin gjatë kësaj jave e kanë refuzuar edhe trajneri i Ajaksit, Frank De Bur dhe ai i Suonsi, Brendan Roxhers.
Trajneri italian dëshiron të qëndrojë në Londër dhe shpreson që Çelsi t’i ofrojë atij një kontratë njëvjeçare. Ai mendon se është i aftë të rindërtojë skuadrën e cila ka fituar Ligën e Kampioneve, por që ka nevojë të dukshme për ndryshime dhe rifreskim.
Roman Abramoviç, gjatë kësaj jave do të mblidhet me bordin drejtues për të diskutuar kandidatët e mundshëm, mes të cilëve nuk figuron emri i Roberto Di Mateos, i cili nuk dëshiron të jetë më në periudhë prove me skuadrën që e udhëhoqi drejt triumfit në Ligën e Kampioneve dhe Kupën FA në vetëm 11 javë.
Plani i Abramoviç është që të mbajë një trajner në provë për një vit dhe pastaj të vendosë nëse do ta mbajë, apo do të provojë ëndrrën e tij për të sjellë në këtë skuadër Pep Guardiolën. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 May 2012 08:40