Fabio Kapelo mendon se nuk ka asnjë individ që qëndron më lart se emri i Real Madrid dhe asaj që personifikon ky klub, duke komentuar në këtë mënyrë ngjarjet e fundit në këtë klub, me vendimin e Zhoze Murinjos për të ulur në stol Iker Kasijas.
Që me humbjen e 3-2 ndaj Malaga, ku Adan u preferua para kapitenit të madrilenëve, shumë specialistë të ndryshëm kanë dhënë mendimin e tyre rreth kësaj çështje dhe nëse Murinjo kishte vepruar drejt duke ulur në stol një ikonë të klubit. Me sa duket, trajneri italian i jep të drejtë kolegut të tij, duke cilësuar se asnjë emër nuk qëndron mbi klubin, me përjashtim të dy figurave legjendare.
“Kur stërvitesh te Real Madrid, duhet ta dish se para dhe pas teje qëndron Madridi dhe tifozët e kësaj skuadre. Mbi trajnerin apo lojtarët, mbi të gjithë, qëndron emri i Madridit. I vetmi person i cili ka bërë diçka ndryshe dhe emri i të cilit mund të jetë pranë atij të Real Madrid është Santiago Bernabeu, si një ish-president. Si trajner dhe lojtar mund të mendoj vetëm për Alfredo Di Stefanon”, ishte deklarata e Kapelos.
“Lojtarët janë shumë me fat për punën e tyre. Si trajner unë personalisht kërkoj respekt, që njerëzit të punojnë bashkë me mua dhe të jenë të disiplinuar. Disa lojtarë inatosen kur i zëvendësoj, por u shpjegoj që ndërrimet bëhen për të ndryshuar lojën. Nuk ndihmon të jesh i inatosur. Por jo gjithçka vendoset nga ajo që shfaqet në fushën e lojës, edhe sjellja është e rëndësishme”, tha trajneri italian, që njihet ndër më të rreptit në futbollin evropian. (LajmeShqip.com)
Monday, 31 December 2013 12:01