Legjenda e Mançester Junajtid, Erik Kantona, deklaroi se do të dëshironte shumë që të zëvendësonte Aleks Ferguson, por shpreson që skocezi të vazhdojë të qëndrojë në drejtim për momentin.
Ish-sulmuesi francez aktualisht mbulon rolin e drejtorit të futbollit të skuadra e Nju Jork Kozmos, e ndonëse deklaron se do të dëshironte që Ferguson të qëndronte përjetësisht si trajner i kësaj skuadre, pranon se do të dëshironte të zinte vendin e tij kur skocezi të largohej nga ky ekip.
“Aleks Ferguson është i ri, ka kaq shumë energji, kaq shumë dashuri për lojën e futbollit, ka shumë gjëra për të dhënë”, tha ai për “Daily Mirror”.
“Ajo që është e pabesueshme për të është se ndeshja e radhës është si ndeshja e parë e karrierës së tij dhe ai të jep pikërisht këtë gjë- pasionin e tij, dashurinë për të fituar”, ishte vlerësimi ish-lojtarit që më pas ka pranuar se do të pranonte mënjëherë detyrën si trajner i Mançester Junajtid.
“Nëse më ofrohet kjo punë do të thosha që Mançester Junajtid është i veçantë, ndaj sigurisht që do ta pranoja. Por sot jam pjesë e Nju Jork Kozmos. Megjithatë, nëse një ditë më shfaqet mundësia, pse jo!”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 15 November 2012 17:07