Fredrik Kanoute ka hedhur poshtë spekulimet se Çesk Fabregas e ka fyer atë në baza racore, kur të dy u përplasen në një ndeshje të këtij sezoni. 34 vjeçari Kanoute, mori karton të kuq pasi u përfshi në përleshje me mesfushorin spanjoll më 22 tetor.
Të dy diskutuan në fund, kur Lionel Mesi humbi penalltinë për Barcelonën në ndeshjen e luajtur në “Kamp Nou”. Ka patur zëra se Kanoute kishte qenë i provokuar nga abuzimi racor, por ai këmbëngul ndryshe.
“Unë nuk do të shpjegoj atë që ai tha, kjo është personale,” tha Kanoute për BBC. “Gjërat nganjëherë ndodhin, gjuha e keqe përdoret në fushën e lojës dhe disa lojtarë reagojnë”.
“Kjo është ajo që ka ndodhur edhe me mua, por unë kurrë nuk thashë se ai ishte racist, ose që ai kishte bërë ndonjë koment racist. Unë duhet të jem i sinqertë në këtë drejtim”, tregoi lojtari i përfaqësueses së Malit.
Kanoute është jashtë kontratës në fund të sezonit dhe ka qenë i lidhur me një largim nga Sevilja, por vetë lojtari ka bërë të ditur se do të rrijë të paktën deri në fundin e kampionatit. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 January 2012 15:47