Deklarata e “Europol” rreth trukimit masiv të ndeshjeve dhe shtrirjes së rrjeteve kriminale në botën e futbollit, ka bërë që të fillojnë të merren masa për të parandaluar fenomene të tilla edhe në vende ku janë pak të njohur. Shembullin konkret e ka ndërmarrë kampionati amerikan i futbollit, MLS, që ka vendosur të zyrtarizojë një rregull të ri.
Fillimisht është punësuar një “agjent i sigurisë së futbollit” në Las Vegas për të monitoruar vazhdimisht aktivitetet e basteve, ndërsa është caktuar edhe një drejtor sigurie në ndeshje për të shmangur kërcënime të mundshme ndaj lojtarëve dhe për të evituar “kontaktet me jashtë”.
Por hapi ndoshta më i rëndësishëm është izolimi i atyre që janë në dhomat e zhveshjeve me pjesën tjetër të botës, sipas metodës që është shpjeguar në një deklaratë të lëshuar nga vetë MLS.
“Në këtë sezon, ne insistojmë që të ndalet përdorimi i telefonave dhe pajisjeve elektronike transmetuese brenda dhomave të zhveshjeve që 60minuta para fillimit të takimit, deri në fundin e tij. Kjo përfshin edhe përdorimin e rrjeteve sociale”, shkruhet në deklaratën e MLS.
Sipas saj, shumë klube brenda kampionatit e kanë vënë vetë në zbatim këtë rregull që më parë, por tashmë pritet që rregulli të bëhet zyrtar dhe të përfshijë të gjithë klubet. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 February 2013 13:07