Tiranë – Futbollistët e përfaqësueses sonë, Beqiri, Vangjeli dhe Bakaj, u shprehën optimistë për ndeshjen me Bjellorusinë.
Beqiri, i cili ka munguar prej disa kohësh në kombëtare, tha se ka gjetur një ekip me shpirtin e grupit, në të cilin gjithçka është e koordinuar mirë. Ai tha se Bjellorusia, pavarësisht nga mungesat, është një ekip i fortë, por skuadra jonë luan në fushën e saj.
Duke folur për gjendjen e tij, Beqiri tha se roli i preferuar për të mbetet mbrojtësi i qendrës, por “jam gati të kontribuoj atje ku e sheh të nevojshme trajneri Kuzhe”.
“Ne duhet t’i japim një mësim Bjellorusisë, ekipit që na ka mposhtur dy herë”, tha mbrojtësi Vangjeli, sipas të cilit, nuk ka rëndësi roli ku do ta vendosë trajneri. “Kam luajtur si mbrojtës i djathtë me “Arisin” në kampionatin grek, por me përfaqësuesen e Shqipërisë jam aktivizuar si mbrojtjës i majtë”, shtoi Vangjeli, i cili u shpreh se mbrojtja dhe mesfusha duhet ta ndihmojë sulmin për të shënuar.
Duke folur për të ardhmen e tij Vangjeli tha se ka ardhur koha të lëvizë nga kampionati grek, drejt një kampionati më të fortë, Seria A italiane ose Bundesliga gjermane.
I kemi të gjitha mundësitë të arrijmë një rezultat pozitiv, tha Bakaj, i cili vjen nga një periudhë e mirë aktivizimi në kampionatin rumun. Futbolli ka ndryshuar dhe ne i kemi kapërcyer problemet fizike. Duke luajtur nw grup do t’ia dalim mbanë, shtoi Bakaj, i cili shprehu edhe një herë gatishmërinë për t’i shërbyer ekipit si në rolin e mesfushorit, ashtu edhe në atë të sulmuesit.
Skuadra jonë përfaqësuese do të ndeshet të shtunën në Tiranë me ekipin e Bjellorusisë në kuadrin e eliminatoreve të kampionatit evropian Poloni- Ukrainë 2012.
Wednesday, 23 March 2011 09:39