Sol Kampbell ka paralajmëruar tifozët anglezë që të mos udhëtojnë për të ndjekur Euro 2012 pasi ata “mund të kthehen mbrapa me qefin”. Ish-mbrojtësi i Arsenalit e Totenhemit mendon si është një rrezik shumë i madh të vizitosh Ukrainën dhe Poloninë, pasi përballesh me kërcënime, dhunë dhe racizëm.
Në një intervistë të dhënë për BBC, mbrojtësi që ka 73 ndeshje me fanellën e përfaqësueses angleze, mendon se UEFA ka gabuar duke i dhënë një turne të tillë këtyre dy vendeve kaq problematike.
“Rrini në shtëpi, ndiqeni në televizor. As mos e provoni të rrezikoni… pasi mund të ktheheni në qefin. Mendoj se UEFA gaboi me caktimi e këtij turneu, pasi ata më parë duhej të ishin siguruar se këto vende kishin zgjidhur problemet e tyre”.
Familjet e shumë lojtarëve me ngjyrë të përfaqësueses angleze si Teo Uollkot, Xholeon Leskot dhe Aleks Oksleid-Çambërlein, nuk kanë ndër mend të udhëtojnë në këto vende pasi kanë frikë se do të përballen me abuzime racore.
Në dokumentarin që do të shfaqet sot në darkë nga BBC, tregohen tifozë që nderojnë si nazistë, duke tallur futbollistët me ngjyrë me klithma majmunësh, këngë anti-semitike dhe një grup studentësh aziatikë që sulmohen para stadiumit të Metalist në Kharkiv, një prej qyteteve ku do të luhen ndeshjet e fazës në grupe të turneut. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 May 2012 11:40