Ramon Kalderon, ish-presidenti i Real Madrid, ka folur për të gjithë temat më pikante të kohëve të fundit te kampionët e Spanjës, duke iu referuar fillimisht trishtimit të Kristiano Ronaldos, për të saktësuar se “nëse një lojtar nuk është i lumtur, atëherë ai duhet të largohet”.
Në një prononcim të dhënë për “Eurosport”, ai nuk ka ngurruar të tregojë edhe eksperiencën personale për çështje të tilla. “Mua më ka ndodhur me Robinjo. Ishte një çështje shumë drastike, edhe pse e blemë për 24 milionë euro dhe e shitëm për 48 milionë euro, ndonëse ishte një operacion i mirë financiar”.
Më pas, ai ka sulmuar ashpër drejtuesit aktual të klubit madrilen dhe sidomos presidentin Florentino Perez. “Sot Horge Mendez është presidenti i klubit, ndonëse nuk është zgjedhur nga anëtarët. Ai ka vendosur klubin në duart e tij dhe të Murinjos. Ai merr vendimet dhe shumë lojtarë janë në skuadër sepse ai është përfaqësuesi i tyre. Presidenti duhet ta dijë përse e ka bërë një gjë të tillë”, tha ai për menaxherin e Zhoze Murinjo, Kristiano Ronaldo, Pepe dhe Fabio Koentrao.
Më pas, disa fjalë edhe për vetë Murinjon. “Ai është një trajner i madh dhe një motivues i shkëlqyer, por ka raste kur sillet në mënyrë të kritikueshme. Kjo është një çështje që duhet rregulluar me vetë trajnerin, edhe pse aktualisht duket e vështirë. Mua do të më kishte pëlqyer që klubi të kthente Del Bosken”, tha Kalderon. (LajmeShqip.com)
Friday, 14 September 2012 20:29