E ardhmja e Ricardo Kaka vazhdon të shqetësojë tifozët e Milanit. Mesfushori brazilian, në përfundim të sezonit do të largohet nga Milano, për të nisur një karrierë në Shtet e Bashkuara të Amerikës, gjithsesi 32-vjeçari u shpreh për mediat italiane që dëshira e tij e madhe është të qëndrojë te kuqezinjtë, edhe pse duhet të sqarojë disa gjëra personale. “Ne duhet të kemi një projekt të qartë për të fituar kampionatin dhe për t’u rikthyer në Champions League vitin e ardhshëm. Duhet të kemi ide më të qarta. Çfarë do të bëj unë? Unë dua të qëndroj, por kam shumë gjëra personale për të sqaruar. Gjithsesi dëshira më e madhe është të qëndroj këtu.”
I pyetur nëse Mario Balotelli është një kampion i madh, Kaka u shpreh:
“A është kampion Balotelli? Ai është një lojtar i madh, por sipas mendimit tim duhet të fitojë më shumë dhe të jetë protagonist. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet një kampion. Unë jam i kënaqur që luaj me të, sepse mund të zgjidhë ndeshjet. Ka momente, sikurse u ndodh të rinjve, që e humbet toruan, por nëse merr përgjegjësitë, siç po vepron tani, mund të bëjë gjëra të mëdha për futbollin italian dhe në atë ndërkombëtar.”
Situata e Clarence Seedorf në stolin e Milanit është vënë në dyshim sidomos pas humbjes me Romën në Olimpico, mirëpo Kaka kërkon që t’i jepet më shumë koha holandezit.
“Ka nisur një karrierë ndryshe nga ajo që bënte me parë. Në këtë sens e shoh të ndryshëm, sepse edhe puna e trajnerit është tjetër dhe ai duhet të mësojë shumë gjëra që si futbollist i shihte në një tjetër këndvështrim. Megjithatë ai është shumë i zoti dhe inteligjent, ndaj do të mësojë shumë shpejt. Unë jam shumë i lumtur me këto tre muaj që po punoj me të. Nëse do t’i jepet koha, mund të bëjë gjëra të mëdha.”
Përsa u përket zërave për fraksione në dhomat e zhveshjes së Milanit, Kaka sqaroi:
“Gazetarët mund të mendojnë ndryshe, por ju siguroj se futbollistët e Milanit janë të bashkuar dhe nuk kanë asnjë problem me njëri – tjetrin. Është normale që futbollistët italiane të kalojnë më shumë kojë bashkë, por kjo nuk do të thotë që ka përçarje në dhomat e zhveshjes. Është normale gjithashtu që të jesh më i afët me ndonjë futbollist, por të gjithë zbresim në fushë për ta fituar ndeshjen.”
Në fund Kaka u shpreh se objektivi i Milanit për këtë sezon mbetet Europa League, që mund të vendoset në derbin me Interin.
Tuesday, 29 April 2014 13:07