Kaka nuk do t’i japë lamtumirën Evropës në janar, nëse largohet nga Real Madrid. Këtë fakt e ka konfirmuar babai i lojtarit, Bosko Leite, i cili është njëkohësisht edhe menaxheri i tij.
Braziliani shihet gjithnjë e më larg Realit, me mediat spanjolle që kanë sugjeruar se madrilenët janë të dëshpëruar ta shesin, pasi me kursimet e rrogës së tij do të arrijnë të përmirësojnë kontratën e Kristiano Ronaldos.
Flitet prej kohësh që për Kaka interesohen klubi i Korinthians në Brazil si dhe amerikanët e Nju Jork Red Bulls, por jo sipas informacioneve të atyre që merren me të ardhmen e vetë futbollistit.
“Unë nuk di asgjë rreth këtij interesimi”, tha Leite për “Lancenet”. “Për momentin, ashtu si qëndrojnë gjërat, ai dëshiron të rrijë në Evropë. Kjo mund të ndryshojë në të ardhmen, por për sot mund të them se nuk lëviz. Korinthians nuk është përmendur asnjëherë si një objektiv dhe ky klub nuk e ka deklaruar kurrë interesimin për Kaka”.
Kaka është kthyer në një rezervë luksi, duke u aktivizuar shumë pak te Real Madrid. Këtë sezon, në kampionat ai ka luajtur vetëm 5 ndeshje, ku vetëm në 1 prej tyre ai ishte titullar. (LajmeShqip.com)
Friday, 30 November 2012 10:20