Rikardo Kaka mendon se shoku i tij i skuadrës te Real Madrid, Kristiano Ronaldo, është futbollisti më i kompletuar që ekziston në futbollin e ditëve të sotme. Portugezi shënoi 2 gola në fitoren e Real Madrid kundër Barcelonës në mesjavë, duke çuar bilancin e tij sezonal në 38 gola në po aq ndeshje të luajtura, gjë që ka shtyrë Kaka t’i thurë elozhe të panumërta.
“Kristiano është futbollisti më i kompletuar që ekziston aktualisht. Ai ka një forcë të pabesueshme dhe një aftësi për të vendosur ndeshjet si askush tjetër. Nuk do ta krahasoj me lojtarë të tjerë. Por unë e shoh çdo ditë dhe e di çfarë aftësie dhe force ka”, deklaroi Kaka.
Braziliani dhe portugezi janë kthyer në shokë të ngushtë gjatë kohëve të fundit dhe tashmë shoqërohen edhe jashtë fushës stërvitore.
“Është diçka e këndshme të kesh një person të tillë si shok skuadre dhe mik jashtë fushës së lojës. Ndaj unë i uroj atij më të mirën në gjithçka që do të bëjë. Ne kemi një marrëdhënie mjaft të mirë, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj, ndaj e kam thënë gjithmonë se ai është një mik i mirë për mua”, deklaroi Kaka. (LajmeShqip.com)
Saturday, 02 March 2013 11:51