Menaxheri i Rikardo Kaka ka çuditur të gjithë duke bërë të ditur se futbollisti po planifikon të transferohet në kampionatin amerikan të futbollit. Diogo Kotsho, përfaqësues i ish-“Topit të Artë”, tha për “Nju Jork Post” se klienti i tij dëshiron të transferohet në SHBA në një të ardhme të afërt.
“Nuk flasim asnjëherë për negociatat tona edhe kur ka zëra për transferime. Ajo që mund t’ju them tani është se Kaka ka ëndërr të jetojë në SHBA dhe të luajë në kampionatin amerikan”, tha ai.
Sezone me dëmtime të njëpasnjëshme dhe konkurrenca e ashpër brenda ekipit kanë bërë që ylli i futbollit botëror të kthehet brenda pak vitesh nga futbollisti më i mirë në botë, në një lojtarë stoli te Real Madrid ku ka zhgënjyer plotësisht dhe çdo ditë e më shumë flitet për një largim të tij. Që nga viti 2009, kur u transferua te madrilenët, lojtari ka arritur të luajë vetëm në 65 ndeshje në kampionat.
Kotsho ka sqaruar se nuk është e thënë që gjithçka të ndodhë në muajt në vazhdim, por duke lëshuar sinjale të qarta që është në pritje të ofertave nga klubet amerikane.
“Nëse nuk bëhet fjalë për tani shpejt, në të ardhmen ai do të luajë në kampionatin amerikan”, ishte premtimi i tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 21 June 2012 15:02