Mesfushori i Real Madrid, Rikardo Kaka, ka bërë të qartë se nuk ka ndër mend të largohet nga ky klub pa treguar vlerat e tij. Braziliani, i cili u transferua në vitin 2009 nga Milani, nuk ka bindur asnjëherë me fanellën e madrilenëve, duke u kthyer më shumë në një peshë për arkat e klubit që kishte paguar mbi 60 milion euro për të dhe i jep një rrogë prej më shumë se 10 milion eurosh në vit.
“Prioriteti im është të vazhdoj edhe për dy vite të tjera te Real Madrid. Do të dëshiroja shumë që të kisha mundësinë të luaja më shumë. Ky është opsioni im i parë dhe nëse nuk do të jetë e mundur, vetëm atëherë do të shoh për të shkuar te ndonjë skuadër tjetër”.
“Por dua që të kem të paktën një sezon të mirë me Realin, është një sfidë personale. Nuk di të flas për të tjerët por unë po kaloj një ndjenjë mërzie dhe do të pres fundin e sezonit për të mësuar planet e klubit dhe për të parë se sa hapësira aktivizimi do të kem. Por nuk do të kthehem në Brazil, dua të qëndroj në Evropë nëse do të jetë e mundur”, vijoi ai.
Kaka ka komentuar edhe zërat për një transferim të mundshëm të Karlo Ançelotit në drejtimin e Real Madrid, duke e parë këtë si një gjë pozitive, falë të kaluarës së tij nën drejtimin e trajnerit italian te Milani.
“Ançeloti është trajneri me të cilin kam kaluar vitet më të mira të karrierës time si profesionist. Por nuk di të them se çfarë do të ndodhë, me situatën që po kalon Murinjo, nëse do të qëndrojë apo do të iki”, deklaroi mesfushori brazilian. (LajmeShqip.com)
Saturday, 04 May 2013 11:07