Rikardo Kaka ka pranuar se është i interesuar që në të ardhmen të luajë në kampionatin amerikan të futbollit, MLS. Një deklaratë të tillë, futbollisti e bëri pas përfundimit të ndeshjes së përfaqësueses së Brazilit me Kolumbinë.
“Mendoj se jo tani shpejt, por një ditë shpresoj se do të mund të luaj në MLS. Por mendoj se nuk ka ardhur ende koha për një gjë të tillë”, tha futbollisti i cili gjatë verës u përfol shpesh si një objektiv i mundshëm i merkatos për Nju Jork Red Bulls.
Sipas mediave amerikane, po planifikohet që tani transferimi i Kaka në radhit e ekipit amerikan për vitin 2014, pas përfundimit të Botërorit që organizohet në Brazil, pasi Kaka nuk dëshiron të largohet nga Evropa deri atëherë në mënyrë që të vazhdojë të jetë pjesë e kombëtares.
Nju Jork Red Bulls e sheh më shumë si një mundësi marketingu të mirë futbollistin brazilian, duke patur parasysh se zona pranë stadiumit të ri që i kushtoi 200 milionë dollarë, është pjesë e qyteti ku ka predominancë popullsia portugeze dhe braziliane. Vetë Kaka e ka parë personalisht tërheqjen që sjell emri i Brazilit në këtë zonë të Amerikës Veriore, pasi më shumë se gjysma e 40 mijë tifozëve të pranishëm në ndeshjen e mbrëmshme në Nju Xhersi po mbështetnin “seleçaon”.
“Tifozët ishin të shkëlqyer, mua më pëlqen të luaj këtu. Është shumë e këndshme të luash në SHBA”, pranoi Kaka pas ndeshjes.
Ndërkohë, Nju Jork Red Bulls ka bërë hapin e parë drejt firmës me lojtarin, pasi ka blerë Digaon, vëllain e tij, i cili zakonisht transferohet atje ku luan edhe Kaka dhe shpesh thuhet se është pjesë e kontratës së mesfushorit brazilian. (LajmeShqip.com)
Thursday, 15 November 2012 12:28