Konferenca për shtyp e dhënë sot nga Hoze Kajehon ka pasur vetëm një temë, atë të ngjarjeve ku është përfshirë Lionel Mesi pas ndeshjen në Kupën e Mbretit mes Real Madrid dhe Barcelonës. Sulmuesi i madrilenëve ka konfirmuar se përsa i përket rastit të fyerjes së argjentinasit ndaj Aitor Karanka, ai ishte dëshmitar se një gjë e tillë ka ndodhur.
“Atë të Aitor e pashë vetë, pasi isha menjëherë pas tij. Por në disa raste është normale që brenda fushë s jemi të gjithë të nxehur dhe themi gjëra për të cilat më pas pendohemi. Por pas ndeshjes, të presësh një kundërshtar që largohet përkrah gruas shtatzënë, kjo nuk është e mirë. Të mirët nuk qenkan aq të mirë sa duken dhe të ligjtë nuk qenkan kaq të ligj”, ishte komenti i Kajehon duke iu referuar rastit tjetër që ka bërë bujë, atij ku Mesi ka pritur Arbeloan në parkingun e stadiumit për ta fyer.
“Fyerjen “kukull e Murinjos” ai e ka thënë. Janë gjëra që ndodhin. Në fushën e lojës, kur je i nxehur, mund të thuhen gjëra, por ato mbeten aty. Por jo me gjakftohtësi”, tha futbollisti i Realit i cili më pas hodhi poshtë idenë se incidenti ishte i ngjashëm me atë të Zhoze Murinjos në parkingun e “Kamp Nou” ku fyeu gjyqtarët e ndeshjes.
“Situata e trajnerit ishte krejtësisht ndryshe. Ai priti para autobusit dhe nuk i tha gjë askujt”, u shpreh Kajehon.
Debati mbi Lionel Mesin ka ndarë në mes mediat sportive, ku ata të Madridit synojnë me çdo kusht të nxjerrin që argjentinasi ka fyer Arbeloan, ndërsa ato katalanase sugjerojnë se kjo është thjesht një shpikje që është bërë për të njollosur figurën e fituesit të “Topit të Artë”. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 February 2013 15:39