Administratori i përgjithshëm i Juventusit, Bepe Marota, i është përgjigjur pyetjeve rreth Didier Drogba, duke saktësuar se kampionët e Italisë do të shohin çdo opsion të mundshëm gjatë merkatos së janarit.
Bardhezinjtë shihen nga të gjithë si një skuadër e mirë, por pa një golashënues të mirëfilltë pasi Vuçiniç, Matri, Kualjarela, Xhovinko e Bendtner, nuk arrijnë asnjëri të shfaqin vazhdimësi në gjetjen e rrugës së rrjetës.
Klubi është përfolur shpesh si i interesuar për blerjen e Edinson Kavani apo Fernando Lorente, por pamundësia për të shpenzuar shuma të çmendura për blerjet ka bërë që drejtuesit të hedhin sytë nga lojtari që aktivizohet me Shangai Shenhua.
“Rezultatet tona kanë treguar se mund të jemi konkurrues. Megjithatë, është e qartë që ne mund të bëjmë disa përmirësime”, tha Marota. “Ne nuk do të përjashtojmë asnjë mundësi blerje, edhe nëse nuk jemi në treg. Politika e rotacionit të lojtarëve? Ne do të luajmë çdo turne në maksimumin e forcave tona, por fjala e fundit si gjithmonë do t’i shkojë trajnerit”, komentoi ai.
Në fund, nuk mund të mungonte një batutë rreth debatit Konte-Kasano që në ditët e fundit ka pushtuar faqet e shtypit sportiv italian.
“Kur Konte foli për lojtarë që mund të ishin të nevojshëm për Juventusin dhe ata që nuk ishin të tillë, ai nuk i referohej Antonios, ai thjesht po bënte hipoteza. Nuk dua të shtoj më polemika. Antonio është një yll por shpesh karakteri i tij e lë në balte kur shkon puna te çështjet futbollistike”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 18 November 2012 09:25