Juventusi ka bërë të ditur se mbrojtësi Leonardo Bonuçi dhe sulmuesi Alesandro Matri kanë firmosur kontrata të reja me klubin.
Të dy lojtarët janë titullarë të skuadrës qëkur drejtimin e saj e ka marrë Antonio Konte dhe kanë vendosur që të zgjatin me dy vite të tjera marrëveshjet e tyre aktuale që përfndonin në vitin 2015.
Duket se klubi bardhezi ka vendosur të rinovojë me ata lojtarë që i mendon të rëndësishëm për projektin afatgjatë, pasi vetëm dy javë më parë rinovoi edhe kontratën e Paolo De Çelje.
Bonuçi, i cili ishte protagonist i golit të parë në sfidën e fituar 3-0 të dielën ndaj Napolit, mbërriti në vitin 2010 te Juventus nga radhët e Barit. Ndërsa Matri, u transferua te bardhezinjtë në janarin e vitit 2011 nga Kaljari, duke u kthyer menjëherë në golashënuesin kryesor të kësaj skuadre.
Juventus aktualisht mban vendin e dytë në Serinë A, vetëm 2 pikë pas Milanit që kryeson klasifikimin. (LajmeShqip.com)
Monday, 02 April 2012 19:57