Juventusi ka shprehur hapur interesimin për Stevan Jovetiç, duke e kthyer në objektivin e parë për merkaton e klubit në përforcimin e repartit të avancuar.
“Ai është një futbollist i Fiorentinës që ka të gjitha të drejtat ta mbajë shtrënguar fort, por i përgjigjet plotësisht profilit të lojtarit që kërkon Juventusi”, ishin fjalët e drejtorit sportiv Bepe Marota pas ndeshjes së parë përgatitore të këtij sezoni për bardhezinjtë. “Ai është një i ri interesant me vlerë absolute, ka cilësi teknike dhe hyn padyshim në atë grup objektivash që Juventus i ka vënë vetes, pasi aktualisht do të na bënte punë një lojtar i tillë”.
Si rrjedhojë, Juventusi braktis përkohësisht idenë e afrimit të një sulmuesi ndërkombëtar të njohur, duke preferuar që të ndjekë malazezin e Fiorentinës, të cilin klubi i Firences për momentin e cilëson “të paprekshëm”. “Mendoj se po abuzohet shumë me këtë term gjatë kohëve të fundit”, ishte komenti ironik i drejtuesit e Juventusit, duke kujtuar se çfarë ka ndodhur se fundmi me Milain.
Ai më pas ka folur edhe për merkaton që bardhezinjtë kanë zhvilluar deri tani, duke përforcuar ndjeshëm si mbrojtjen, ashtu edhe mesfushën.
“Në kompleksitet mendoj se kemi vendosur një grup të mirë në dispozicion të trajnerit edhe falë udhëzimeve që na ka dhënë ai në fillimin e sezonit. Merkato mbyllet me 31 gusht dhe nëse deri atëherë na jepet mundësia të bëjmë përmirësim të tjera, do të ndërhyjmë në merkato. Por mos pritni blerje utopike”, tha Marota. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 18 July 2012 12:01