Juventus duket se pak nga pak po heq dorë nga titulli kampion, pasi shihet qartë që është në vështirësi, sidomos para skuadrave të vogla. Bardhezinjtë e drejtuar nga Konte këtë radhë janë ndalur në barazim 1-1 në fushën e Bolonjas, në takimin e prapambetur për shkak të reshjeve të dëborës të një muaji më parë.
Kanë qenë vendasit që kanë kaluar të parët në avantazh me anë të Di Vaios në minutën e 17-të, pas një përgjumje të mbrojtjes bardhezi dhe sidomos Lihtshtajner, i cili sheh kapitenin e Bolonjës të dërgojë topin pas krahëve të Bufon.
Juventinët provojnë të reagojnë por pa forcën e duhur e si rrjedhojë i japin mundësinë vendasve të administrojnë avantazhin. Në fillimin e pjesës së dytë vjen edhe reagimi i skuadrës bardhezi ku në minutën e 58-të, Vuçiniç përfiton nga një diagonale e Pirlos për të kaluar topin mbi Xhilet dhe për të vënë barazpeshën në shifra. Pas golit, ata hidhen më shumë në sulm, por nuk arrijnë të gjejnë rrugën e rrjetës pavarësisht tentativave të Borrielos e Markizios.
Megjithatë, fundi i ndeshjes i përket Bolonjas, që përfiton nga epërsia numerike pas kartonit të kuq të Bonuçit për të administruar këtë rezultat e për të mbyllur ndeshjen në barazim.
Pas kësaj ndeshje, Juventus mbetet 2 pikë pas Milanit dhe në vështirësi të dukshme. Sfida më e vështirë për bardhezinjtë do të jetë këtë fundjavë në fushën e vështirë të Xhenoas, pasi Juventusit pritet t’i mungojnë për dëmtime apo pezullime të tre qendërmbrojtësit. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Bolonja-Juventus 1-1
Çezena-Katania 0-0
Parma-Fiorentina 2-2
Renditja
Milan 54, Juventus 52, Lacio 48, Udineze 46, Napoli 43, Roma 38, Inter 37, Katania 35, Palermo 34, Kievo 34, Atalanta 32, Xhenoa 32, Fiorentina 32, Kaljari 31, Bolonja 32, Parma 30, Siena 29, Leçe 25, Novara 17, Çezena 17.
Wednesday, 07 March 2012 21:17