Drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Bepe Marota, ka konfirmuar se Antonio Konte do të vazhdojë të jetë trajneri i bardhezinjve, sido që të shkojë çështja e përfshirjes dhe hetimit ndaj tij për manipulimin e ndeshjeve të kampionatit italian.
“I kemi besuar projektin teknik Antonio Konte, me të cilin jemi të kënaqur, ndaj ai do të vazhdojë të jetë përgjegjësi për çështjet teknike te ne, do të gjejmë një zgjidhje pavarësisht dënimeve që mund të jepen. Nuk kemi menduar asnjëherë që të bëjmë ndryshime në pankinën e skuadrës”, tha ai, duke konfirmuar se klubi kishte vënë në dispozicion të mbrojtësit Bonuçi përfaqësuesit ligjorë në mënyrë që të ndihmonte disi lojtarin i cili është i përfshirë më direkt në këtë çështje.
“Nuk mund të hyj në detaje pasi avokatët tanë po studiojnë me qindra shkresa që na kanë mbërritur nga Federata Italiane. Sigurisht që kemi besim të aftësitë e tyre dhe e dimë që në të ardhmen mund t’u besojmë lirshmërisht të gjithë atyre që punojnë për këtë klub, lojtarë apo zyrtarë”, tha ai.
Ndërkohë, edhe presidenti Andrea Anjeli ka treguar qëndrimin e tij nëpërmjet një komunikate zyrtare.
“Këto ngjarje na lënë një shije të keqe. por në emër të klubit unë shpreh mbështetjen e plotë për Konte, Alesio, Stelini, Bonuçi dhe Pepe. Në skuadra gjithmonë ndihmohet njëri-tjetri dhe nuk mbetesh asnjëherë vetëm”, ishte mesazhi i presidentit të Juventus. (LajmeShqip.com)
Friday, 27 July 2012 09:20