Drejtori i përgjithshëm i Juventusit dhe njëkohësisht njeriu përgjegjës për merkaton e klubit, Xhuzepe Marota, ka konfirmuar interesimin e bardhezinjve për të afruar Gonzalo Higuain dhe Stevan Jovetiç gjatë merkatos së verës.
Mendohet se kampionët e Italisë kanë arritur të bindin si argjentinasin, ashtu edhe malazezin për transferimin, duke rënë dakord edhe për kushtet e kontratës, ndërsa tani mbetet të binden klubet përkatëse, Real Madrid dhe Fiorentina.
“Jovetiç dhe Higuain janë të dy sulmues të mëdhenj. Ne duam të përmirësojmë grupin që ka në dispozicion trajneri Konte, ndaj gjatë verës do të eksplorojmë opsionet më të mira që na shfaqen”, tha Marota për mediat italiane.
Sipas shtypit sportiv në Itali, Juventusi dëshiron të zgjidhë sa më parë çështjen me Fiorentinën dhe Real Madrid rreth këtyre dy futbollistëve, para se të mendojë të bëjë një ofertë për ndonjë futbollist tjetër. Alternativa të tjera që u interesojnë kampionëve të Italisë janë Karlos Tevez dhe Luis Suarez. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 22 May 2013 09:40