Skuadra e Juventusit ka filluar që tani të mendojë për të ardhmen, duke kërkuar pasardhësin më të mundshëm të Alesandro Del Pieros. Kapiteni pritet të largohet në fundin e sezonit, në një kampionat tjetër apo duke varur këpucët në gozhdë, duke lënë një boshllëk në radhët e bardhezinjve.
Për këtë arsye, Marota dhe Paratiçi, përgjegjësit e merkatos së klubit torinez, janë vënë në ndjekje të fantazistëve që mund të jenë zëvendësuesit e “Pinturikios”. Deri tani, emrat më të përshtatshëm janë ato të Gaston Ramirez dhe Mario Gëtze.
Duket se uruguaiani 21 vjeçar i Bolonjës është në avantazh për shkak të çmimit jo shumë të lartë dhe dëshirës për të bërë provë veten në një skuadër më të fortë në kampionatin italian. Ndërsa marrëveshja për talentin 19 vjeçar të Borusia Dortmund është më e komplikuar pasi futbollisti dëshiron të rrijë edhe një vit tjetër në Gjermani ndërsa ëndërron të transferohet te Reali i Madridit apo Barcelona.
Një emër tjetër që tërheq shumë drejtuesit e Juventus është ai i Mesut Ozil, por fantazisti i përfaqësueses gjermane ka shumë admirues, duke e bërë të vështirë të konkurrohet për çmimin e tij me skuadra si Mançester Siti apo Çelsi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 31 December 2011 12:47