Niklas Bendtner mund të cilësohet një futbollist i Juventusit. Sulmuesi danez vjen në formën e huazimit nga Arsenali, me shpresën për të fituar besimin e bardhezinjve dhe që këta të fundit ta blejnë përfundimisht nga “topçinjtë” në përfundim të sezonit.
Futbollisti do të paguhet 1.5 milion euro këtë vit nga Juventusi, ndërsa në rast se bardhezinjtë shohin se danezi është një futbollist që mund të bëjë diferencën në kampionatin italian, atëherë mund ta blejë për 6 milion euro përfundimisht nga radhët e ekipit anglez.
Lojtari po zhvillon vizitat mjekësore në Torino, ndërsa është mësuar se gjëja e parë që ka bërë në bisedimet me drejtuesit e rinj, ka qenë të kërkojë fanellën me numrin 10 që i përkiste Del Pieros. Megjithatë, administratori i bardhezinjve, Marota, nuk ka rënë pre e kësaj kërkese të futbollistit duke i bërë të qartë se vendimi për caktimin e kësaj fanelle i përkiste vetëm trajnerit Konte dhe presidentit Anjeli, të cilët do të përzgjidhnin personalisht lojtarin që do të mbante mbi shpinë këtë numër legjendar, të lënë bosh pas largimit të Aleks Del Pieros.
Marota ka pranuar gjithashtu se Bendtner nuk ishte zgjedhja e parë për sulmin e skuadrës, por ishte një mundësi e mirë përforcimi. “Bendtner nuk është lojtari i madh që kemi kërkuar për sulmin tonë. Por në këtë merkato të vështirë, ai u shfaq si një mundësi e mirë për të përforcuar kontingjentin ekzistues”, tha administratori i Juventus. (LajmeShqip.com)
Friday, 31 August 2012 10:50