Alesandro Del Piero do të jetë i vëzhguari special i finales së Kupës së Italisë që luhet sonte në darkë, në atë që është ndeshja e tij e fundit zyrtare me Juventusin.
Për ndeshjen e tij të fundit me fanellën bardhezi përballë Napolit, ku sigurisht do të jetë titullar, Juventusi ka përgatitur një stampë që do të vendoset në fanellat e lojtarëve gjatë ndeshjes që luhet në “Olimpiko” të Romës.
“12 shtator 1993-20 maj 2012, një dashuri” shkruhet në këtë stampë që ka mbi të edhe një karikaturë që përfaqëson gjestin e gjuhës jashtë të kapitenit më të dashur në historinë e Juventusit.
12 shtatori i viti 1993 është debutimi i Del Pieros me fanellën bardhezi, në ndeshjen Foxhia-Juventus të përfunduar në barazim 1-1, ku ai u aktivizua në 15 minutat e fundit të ndeshjes.
Sonte Del Piero do të ketë mundësinë të tregojë edhe një herë se çfarë është në gjendje të bëjë, duke i dhënë pastaj lamtumirën ngjyrave bardhezi dhe ndoshta kontinentit evropian, për të shkuar në SHBA apo drejt Lindjes ku janë të shumtë admiruesit e tij. (LajmeShqip.com)
Sunday, 20 May 2012 16:03