Juventus ka hedhur një tjetër hap të sigurt drejt titullit kampion duke fituar bindshëm me rezultatin 4-0 ndaj Romës, në një ndeshje që ka folur tërësisht për bardhezinjtë.
Që në fillimin e ndeshjes është parë sesi skuadra e drejtuar nga Antonio Konte kishte shumë më tepër dëshirë për të fituar këtë ndeshje, sidomos pas dhuratës që i bëri rivali i saj më i afërt, Milani, me barazimin ndaj Bolonjës.
Si rrjedhojë, goli i avantazhit vjen shumë shpejt, që në minutën e 4-t me Vidal, i cili harrohet i vetëm nga mbrojtja e Romës. Duhen edhe 4 minuta të tjera që kiliani të gjejë përsëri rrugën e rrjetës me një gjuajtje të fortë, për të dyfishuar rezultatin në favor të ekipit vendas.
Roma provon të reagojë por në momentin që përpiqet të dalë para, goditet nga kundërzbritja e shpejtë e bardhezinjve. Në minutën e 25-të, ndeshja praktikisht është e mbyllur, pasi Markizio fiton 11 metërsh dhe njëkohësisht është portieri Stekelenburg që ndëshkohet me karton të kuq për ndërhyrjen ndaj mesfushorit.
Portieri Kurçi, i futur në vend të Borinit, arrin të grushtojë gjuajtjen e Pirlos nga pika e bardhë, por topi përfundon përsëri te këmbët e mesfushorit që këtë radhë e dërgon në rrjetë.
Juventinët nuk duken të ngopur dhe vazhdojnë të sulmojnë, por qetësohen vetëm pas minutës së 52-të, kur Markizio shënon edhe golin e katërt.
Që nga ai moment, ndeshja është e mbyllur, pasi edhe bardhezinjtë nuk thumbojnë më portën kundërshtare deri në vërshëllimën e përfundimtare, duke mëshiruar ekipin e Luis Enrikes.
Falë kësaj fitoreje, Juventus është shkëputur 3 pikë nga Milani dhe duket se po shkon drejt titullit kampion kur kanë mbetur vetëm 5 javë deri në përfundimin e këtij sezoni. (LajmeShqip.com)
Sunday, 22 April 2012 22:03