Borusia Dortmund ka lajmëruar se ka zgjatur kontratën e trajnerit Jurgen Klop dhe drejtorit sportiv Mihael Zork.
Kampionët në fuqi të Bundesligës bënë të ditur nëpërmjet një deklarate për shtyp se kontratat e tyre ekzistuese ishin shtyrë deri në qershorin e vitit 2016.
“Jemi të kënaqur që mund të zgjatnim kontratat e të dyve që tani. Ky staf ka bërë një punë të jashtëzakonshme gjatë viteve të fundit”, ishin fjalët e presidentit të skuadrës Hans-Joakim Vatzke.
44 vjeçari Klop, i cili mori drejtimin e ekipit në vitin 2008, e udhëhoqi skuadrën drejt titullit të 7-të kampion gjatë sezonit të kaluar, në ndeshjen e tij të 100-të me këtë klub.
“Jam me fat që jam në gjendje të punoj në një klub fantastik”, ishin fjalët e Klop. Ndërkohë, ish-futbollisti Zork, ka qenë në postin e drejtorit sportiv që në vitin 2005. (LajmeShqip.com)
Monday, 30 January 2012 17:14