Arturo Vidal mund t’i japë lamtumirën Juventusit në fund të këtij sezoni, pasi duket se ka zgjuar interesimin e klubeve më të madh angleze, Mançester Junajtid e Mançester Siti, të cilat janë gati të shpenzojnë shuma relativisht të konsiderueshme për kilianin.
Juventusi e bleu atë në verën e vitit 2011 nga Bajer Leverkusen për 13 milion euro, por mund të jetë gati ta shesë futbollistin nëse konfirmohen zërat në shtypin anglez sipas të cilëve, dy skuadrat e Mançesterit janë gati të shpenzojnë 30 milion euro për lojtarin. Me të ardhurat e siguruara nga shitja e tij, Juventusi do të kishte mundësinë që në merkaton e verës të afronte një tjetër sulmues shumë cilësor, që e kërkon prej kohësh por nuk ka mjetet ekonomike për ta siguruar një lojtar të tillë.
Për më tepër, bardhezinjtë kanë gjetur te i riu Pol Pogba një zëvendësues ideal për kilianin, pasi francezi ka treguar se mund të luajë në mënyrë të shkëlqyer në pozicionin që mban zakonisht Vidal në fushën e lojës dhe si rrjedhojë, nuk do të humbasë cilësi në atë që për momentin vlerësohet si reparti më i fortë i kampionëve të Italisë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 16 February 2013 14:38