Mesfushori i Borusia Dortmund, Shinji Kagaua, është shumë pranë transferimit në radhët e Mançester Junajtid. Futbollisti është aktualisht në vendlindje dhe është mësuar se menaxheri i tij, Tomas Kroth, ka udhëtuar sot drejt Japonisë për ta bindur që të pranojë ofertën e klubit anglez.
Një ofertë fillestare prej 18 milionë eurosh u hodh poshtë nga Dortmund gjatë javës së kaluar, por kjo skuadër duket se ka pranuar ofertën e re prej 22 milionë eurosh që ka bërë Aleks Ferguson për futbollistin i cili i kushtoi klubit gjerman vetëm 350 mijë euro kur e blenë nga skuadra japoneze Cerezo Osaka.
Aleks Ferguson e ka ndjekur lojtarin gjatë suksesit 5-2 të Borusias përballë Bajern Mynih në finalen e Kupës së Gjermanisë, ndërsa e ka takuar atë personalisht për ta bindur të zgjedhë “djajtë e kuq”.
Japonezi 23 vjecar ka shënuar 13 gola në 31ndeshje për “kanarinat”, duke ndihmuar këtë skuadër të fitojë titullin Kampion dhe Kupën në Gjermani. Rroga e tij këtë sezon ishte modeste, më pak se 1 milionë euro, por ai refuzoi një përmirësim të saj në 2.5 milionë euro duke preferuar që të kërkojë transferimin në kampionatin anglez.
Meqenëse kjo është ëndrra e tij e hershme, Kagaua mendohet se do të pranojë ofertën personale që do i bëjë Mançester Junajtid, për t’u bashkuar me një skuadër ku pritet që të jetë mes titullarëve të mesfushës në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 29 May 2012 16:10