Menaxheri i përgjithshëm i Fiorentinës, Sandro Menuçi, ka pranuar se sulmuesi Stevan Jovetiç me shumë mundësi do të largohet nga klubi gjatë verës. Futbollisti ndiqet me vëmendje nga Mançester Siti dhe Juventusi, ndërsa pozicioni aktual i klubit të tij është të gjejë një zgjidhje që do t’i pëlqejë të gjitha palëve.
“Stevan do të dëshironte të kishte një eksperiencë të re dhe ne do të mundohemi të pranojmë kërkesën e tij. Kuptohet se largimi i tij do të ndodhë vetëm nëse na mbërrin një ofertë e arsyeshme”, tha Menuçi për mediat italiane.
Duket se edhe futbollistët e skuadrës janë të ndërgjegjshëm për largimin e Jovetiç, pasi mesfushori Akuilani ka zbuluar se kishte qenë klubi që ia kishte premtuar një gjë të tillë futbollistit një vit më parë.
“Mendoj se Jovetiç tashmë mund të largohet. Nuk kam folur me të rreth kësaj çështje por di që i janë bërë disa premtime një vit më parë. Ai është një lojtar dhe djalë i shkëlqyer, ndaj të gjithë do të ndjejmë mungesën e tij. Nuk di të them nëse ai do të jetë lojtari perfekt për skemat e Juventusit, por ai është një lojtar i rëndësishëm që mund të ndihmojë çdo skuadër të nivelit të lartë”, deklaroi mesfushori Alberto Akuilani. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 May 2013 19:04