Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, ka deklaruar se skuadra e tij luajti mirë në takim me Lokomotiv Moskën, pavarësisht se pësoi me rezultat 2 me 0.
Rusët fituan ndeshjen duke realizuar nga një gol për pjesë për t’i shkaktuar humbjen e dytë kampionëve të Shqipërisë.
“Ne u përpoqëm deri diku mirë, qoftë në fazën mbrojtëse qoftë në veprimet sulmuese. Nuk e pritëm Lokomotivën, patëm opsionet tona dhe po të kishim pasur zgjedhje më të mira në pasimin e fundit mund ta kishim kërcënuar më tepër kundërshtarin”, ka thënë Josa pas takimit.
Në intervistën pas takimit, Josa shtoi se skuadra e tij do ta kërkojë fitoren e parë në Evropa Ligë në ndeshjet e radhës.
“Ne e kërkojmë këtë gjë, qoftë fitoren qoftë pikën. Skuadra tregoi iniciativë për të luajtur futboll dhe krijuam rrezik në portën kundërshtare, por duhet të ishim më të qartë në fundin e aksioneve, në shërbim dhe në konkludim”, shtoi ai.
Friday, 02 October 2015 08:18