Shkodër – Presidenti i klubit Vllaznia, Valter Fushaj, është dorëhequr zyrtarisht nga detyra, të cilën e mbante prej pesë vitesh. Lajmi është bërë i ditur nga vetë zoti Fushaj, përmes një konference shtypi, gjatë së cilës ai paraqiti edhe argumentet e vetëlargimit të tij nga ky post.
“Sot jam këtu përpara jush në këtë konferencë shtypi, e cila për mua është më e vështira në këto vite në drejtimin e klubit Vllaznia”, tha në fillim të prononcimit të tij kreu i klubit kuqeblu, i cili bashku me tre vitet e mëparshme të postit të zëvendëspresidentit, prej tetë vjetësh ka qënë në drejtimin e futbollit shkodran.
24 orë më parë, zyra e shtypit e klubit Vllaznia, bënte të ditur se paradreken e së enjtes, presidenti Fushaj pritej të kishte një takim me kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, i katërti radhazi gjatë periudhës së fundit, dhe nëse edhe ai do të rezultonte i pasuksesshëm, atëherë ai do të jepte dorëheqjen.
“Sot kam pasur takimin e katërt me bashkinë e Shkodrës. Ishte takimi më pozitiv i zhvilluar në këto vitet e fundit, por nuk u gjetën alternativat e bashkëpunimit për mbështetje financiare nga bashkia”, vuri në dukje Fushaj.
Ai bëri të ditur se gjatë 8 viteve në drejtimin e ekipit bashkia e Shkodrës ka kontribuar më pak se çdo bashki tjetër e vendit për futbollin.
Gjithësesi, tha ai, “nëse nuk do të gjenden biznesmenë të tjerë për të mbështetur dhe financuar ekipin, unë nuk do ta le në baltë Vllazninë dhe do të shlyej pagesat për futbollistët sipas kontratave të nënshkruara”.
Ndër të tjera, ai kërkoi nga strukturat përkatëse vendore, të cilët do të merren me shqyrtimin e krijimit të Shoqërisë Aksionere, që kontributet e tij financiare në shërbim të klubit Vllaznia gjatë tetë viteve të qënies në krye të klubit t’i njihen sipas ligjit.
Thursday, 18 August 2011 18:28