Diskriminimi racor ka dhënë shenjat e para në Lojërat Olimpike, ku Australia dhe Japonia kanë hapur shumë diskutime me vendimet e tyre për të lejuar sportistët meshkuj të udhëtojnë në klasin biznes në avion, ndërsa sportistet femra të udhëtonin në klasin ekonomik.
Kështu ka ndodhur me kombëtaret e futbollit të Japonisë dhe kombëtaret e basketbollit të Australisë, ndonëse në arenën olimpike, rezultatet i kanë siguruar gjithmonë ekipet e femrave për të dy shtetet.
“Duhej të ishte e kundërta”, ka treguar për gazetën “Guardian” ylli i futbollit japonez për femra, Homare Saua, e cila është zgjedhur “Futbollistja e Vitit 2011” nga FIFA. “Edhe për respekt të moshës, pasi ne jemi më të vjetra”.
Rezultatet i japin plotësisht të drejtë futbollistes japoneze. Kombëtarja e futbollit e femrave është kampione bote në fuqi dhe kandidate për medaljen e artë. Ndërsa kombëtarja e futbollit të meshkujve, me përjashtim të Kupës së Azisë në vitin 2011, nuk ka arritur ndonjë objektiv domethënës gjatë viteve të fundit.
E njëjta situatë për ekipet e basketbollit të Australisë. Skuadra e femrave ka fituar në tre Olimpiadat e fundit radhazi medaljen e argjendtë, ndërsa ekipi i meshkujve as nuk e imagjinon të shkojnë në zonën e medaljeve, jo më të fitojë një të tillë.
Megjithëse të dy Komitete Olimpike janë munduar të justifikohen me çështje logjistike, ngjarja ka lënë një shije të keqe dhe Ministrat e Sporteve të të dy vendeve janë detyruar të hapin hetim pas Olimpiadës për këtë çështje që ka ulur reputacionin për respektimin e barazisë gjinore. (LajmeShqip.com)
Sunday, 22 July 2012 08:40