Adnan Januzaj mund të luajë ende për Shqipërinë? Në Belgjikë janë të bindur se kjo martesë mund të bëhet dhe kanë filluar të frikësohen. Mediat belge janë të parat që kanë dhënë alarmin.
Snobizmi që i kanë bërë yllit të Manchester Unitedit që luan aktualisht me Borussia Dortmundin, duket se ka bërë që shqiptari me disa kombësi të mendojë për alternativa të tjera, mes tyre Shqipërinë. Madje, mësohet se belgët tanimë janë të bindur se futbollisti mund t’i braktisë, për Shqipërinë kuqezi.
Nuk do të ishte edhe kaq tragjike, duke parë që kuqezinjtë e kanë kërkuar me ngulm. Teknikisht çdo gjë është e arritshme, por problem mbetet trajneri dhe FSHF që zor se e kanë harruar refuzimin që u bëri familja Januzaj.
Gjithsesi, në këtë moment që flasim gjërat janë veçse hipoteza dhe nuk ka asnjë hap konkret, ndonëse Shqipëria me Gianni De Biasin janë në Evropian dhe një futbollist i tillë mund t’u bënte punë, por do të ishte e vështirë të realizohej. Dhe pikërisht trajneri Gianni De Biasi kuqezi ka folur për kombëtaren.
“Ndjesia është pak a shumë e njëjta si ajo që përjetuam në fund të ndeshjes. Realizuam një arritje të paimagjinueshme në startin e edicionit. Një gëzim i jashtëzakonshëm. Askush nuk mund ta imagjinonte se Shqipëria do të kualifikohej në Francë, madje pa zhvilluar as ndeshjet play-off. Mendoj se arritjen më të rëndësishme e realizuam gjatë edicionit të kaluar, kur fituam me Norvegjinë në Oslo. Ata ishin në vendin e 29-të në FIFA, ndërsa ne të 78-ët. Fituam 1-0 jashtë fushe. Aty skuadra mori besim te aftësitë e saj, pasi më parë nuk kishte ndodhur të fitonte përballë një skuadre që ndodhej kaq lart në renditje dhe mbi të gjitha në transfertë. Barazimi në Danimarkë ishte rezultati më i rëndësishëm. Pikërisht ata ishin rivalët tanë direkt. U larguam pa humbje nga fusha e tyre, duke barazuar 0-0. Tjetër faktor i rëndësishëm, ishte karakteri që tregoi skuadra deri në fund. Me gjithë dy humbjet në shtëpi dhe në minutat e fundit kundër Portugalisë dhe Serbisë”, u shpreh trajneri i kuqezinjve, transmeton Shekulli.
“Dy ndeshje të “çmendura”, të cilat do të sfilitnin edhe një kalë. Por, ne gjetëm forcat për të rimbushur bateritë dhe pas katër ditëve fituam në Armeni. Në kualifikuese ishim në një prej grupeve më të vështirë. Portugalia, Serbia dhe Danimarka janë skuadra të nivelit shumë të lart. Shqipëria arriti të kualifikohej si vendi i dytë në grup. Besoj se në Francë do të shkojmë pa peshën e përgjegjësive të mëdha, por të vetëdijshëm se asgjë nuk është e përfunduar. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të shpresojmë se gjatë këtyre tetë muajve që na ndajnë nga Euro 2016 do të kemi pak dëmtime dhe që futbollistët të luajnë me vazhdimësi në klubet e tyre”, shprehet më tej ai.
“Lorik Cana është një person i ndershëm, inteligjent dhe i aftë që i dha shumë Lacios, e që mbase meritonte edhe më shumë hapësirë për shkak të aftësisë së tij për të dhënë në fushë gjithçka ai zotëron. Është e qartë që konkurrenca në Romë ishte shumë e fortë, por mendoj se Loriku nuk duhet të ketë asnjë pendim në lidhje me eksperiencën e tij bardhekaltër. Berisha është një futbollist ende në rritje. Ai i portierit është një rol delikat dhe mbase do të kishte nevojë që të aktivizohej në vazhdimësi, në mënyrë që të piqet dhe të kishte një rendiment të shkëlqyer. Në të gjitha fushat e jetës, besimi është shpesh gjëja më e rëndësishme, por jam i bindur se Etriti, duke qenë ende relativisht i ri, sidomos për pozicionin e tij, ka një të ardhme të madhe përpara”, u shpreh De Biasi.
Wednesday, 21 October 2015 11:33