Mesfushori i kombëtares franceze, aktualisht te Rubin Kazan në Rusi, Jan M’Vila, është përfshirë në një tjetër skandal, ku këtë radhë nuk akuzohet por thyerje disipline, por për marrëdhënie seksuale me një prostitutë minorene.
Policia franceze ka arrestuar javën e kaluar për vjedhje një 16 vjeçare, e cila sipas forcave të rendit ushtron edhe prostitucionin në Paris. Në celularin e saj janë zbuluar telefonata, SMS dhe foto komprometuese të futbollistit 21 vjeçar francez, ndërsa është edhe një tjetër futbollist i cili nuk është identifikuar ende nga mediat franceze.
Tashmë është hapur zyrtarisht një çështje për të hetuar nëse bëhet fjalë për shfrytëzim prostitucioni me një minorene nga lojtari në fjalë që aktualisht gjendet në Rusi, pasi u largua nga klubi i Rëne ku aktivizohej më parë.
Sipas ligjeve franceze, ai rrezikon të dënohet deri në 3 vjet burg dhe një gjobë prej 45 mijë eurosh nëse vërtetohet se ka shfrytëzuar prostitucionin me një minorene, duke qenë në dijeni të moshës së saj.
Kjo ngjarje është e ngjashme me çështjen që vazhdon ndaj një tjetër futbollisti të kombëtares franceze, Frank Riberi, i cili u zbulua se kishte pasur marrëdhënie seksuale me prostitutën minorene Zahia Dehar në vitin 2010, por nuk dinte realisht moshën e saj.
Mediat franceze aludojnë se pikërisht një takim me këtë prostitutë 16 vjeçare solli edhe largimit e M’Vila pa leje nga grumbullimi me kombëtaren U-21 të Francës që po zhvillohej në Paris në shtator. Pas atij incidenti, lojtari u pezullua për dy vite si nga kombëtarja franceze, ashtu edhe nga skuadra e Rëne, duke qëndruar në pjesën e parë të sezonit thuajse gjatë gjithë kohës në pankinë, para se të largohej te Rubin Kazan gjatë merkatos së janarit. Ky incident njollosi karrierën e lojtarit i cili po ndiqej me interes nga klubet e mëdha angleze. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 13 February 2013 18:54