Jaja Ture mendon se Mançester Siti ka nevojë të përmirësojë “Planin B” nëse dëshiron që të shpallet përsëri kampion në Angli. Ylli nga Bregu i Fildishtë mendon se shumë prej klubeve kanë mësuar se si të luajnë kundër skuadrës së drejtuar nga Roberto Mançini, pasi kanë parë mënyrën se si kjo skuadër ka dominuar gjatë kundërshtarëve në sezonin e kaluar. Edhe në fundjavë, Siti kishte vështirësi të gjente rrugën e rrjetës ndaj Riding, ndonëse dominoi në mbajtjen e topit.
“Nëse në sezonin e kaluar ne arritëm të çuditnim shumë skuadra, këtë sezon të gjithë kundërshtarët e dinë mënyrën tonë të lojës. Me raste na duhet të ndërrojmë sistemin e lojës në mënyrë që të gjejmë hapësira mes kundërshtarëve. Ekipet e tjera mund të analizojnë sistemin tonë të lojës, stilin e çdo futbollisti dhe të gjejnë mënyra se si të na ndalojnë. Edhe skuadra që janë pranë fundit të tabelës janë mëse të afta të na vënë në vështirësi”, tha lojtari.
“Një skuadër të cilën sezonin e kaluar e mundëm 4-0, ka ndërruar sistem pasi ka mësuar nga ajo që ka pësuar. Ata nuk duan që të munden përsëri me rezultat të tillë, ndaj vënë shumë lojtarë pas vijës së topit dhe na e bëjnë ne të vështirë të çajmë mes tyre”, tha Ture.
Megjithatë, lojtari që ka qenë mes më të rëndësishëmve për këtë skuadër në dy sezonet e fundit, beson se ekipi i Mançinit do t’ia dalë mbanë, duke e cilësuar si një sfidë të mirëfilltë që duhet kaluar.
“Kjo është arsyeja pse më pëlqen futbolli. Ka gjithmonë një sfidë dhe gjithmonë një enigmë që duhet zgjidhur. Kur i kalon, gjithçka është më e kënaqshme. Duhet të përdorësh aftësitë, inteligjencën dhe forcën për t’u përmirësuar dhe të mundohesh të kalosh çdo sfidë. Në kontrast, kur një lojë është shumë e lehtë, ajo bëhet shumë e mërzitshme”, përfundoi Ture. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 December 2012 13:39