Etrit Berisha e ka cilësuar sfidën e 8 Tetorit ndaj Serbisë vetëm si një ndeshje futbolli
Portieri i Kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, i cili do të ketë punën më të madhe në natën e 8 tetorit në Elbasan Arena, ka thënë se kuqezinjtë do të japin maksimumin në fushë për të shkruar historinë.
“Si unë ashtu edhe i gjithë ekipi jemi të fokusuar vetëm te futbolli, kështu që do mundohemi të japim maksimumin aty. Për ne është shumë e vlefshme kjo ndeshje, sidomos fitorja do të jetë diçka shumë e madhe. Kështu që do të bëjmë më të mirën sikurse kemi bërë deri më tani dhe do mundohemi të bëjmë gjithçka të mundur për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Berisha.
“Për mua sa herë që kam luajtur me kombëtaren përgjegjësia ka qenë e madhe. Edhe në këtë rast kështu ndodh, është një përgjegjësi dhe kënaqësi. Për neve është shumë e rëndësishme vetëm fitorja dhe vetëm atë mendojmë. A besoj te kualifikimi Francë 2016? Normalisht që po. Jemi duke bërë gjithçka që është e mundur dhe jemi duke besuar dhe shpresuar te kualifikimi”, ka shtuar më tej gardiani i portës së Shqipërisë.
Tuesday, 06 October 2015 18:09