Pavarësisht ngacmimit nga ana e gazetarëve serbë të pranishëm në konferencën për shtyp, në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë rrugës nga Rinasi drejt Tiranës, kapiteni i përfaqësueses së Shqipërisë, një kampion i vërtetë pavarësisht kombësisë së tij, Branislav Ivanovic, ka devijuar tendencën e diktuar për ta orientuar të gjithë intervistën dhe pyetjet vetëm në kuadrin sportiv.
“E dimë që kjo ndeshje i tejkalon disi normat dhe kufijtë sportivë. Gjithsesi ne do të mundohemi që të luajmë dhe të sillemi në mënyrë të tillë që ta fitojmë këtë ndeshje për shkak të rëndësisë që ajo ka”, ishte përgjigja e Ivanovic ndaj ngacmimit nëse goditjes me gurë të autobusit ku udhëtonte ekipi serb, ai do t’i përgjigjej me gola, transmeton telesport.
Ivanovic, sikurse dhe trajneri i Serbisë, Curcic, ka vlerësuar përfaqësuesen e Shqipërisë për rezultatet e arritura nga kjo e fundit, si dhe trajnerin De Biasi. “Dimë që Shqipëria ka një trajner italian dhe se ai ka bërë një përgatitje psikologjike të ekipit sikurse dinë vetëm ata. Nuk mendoj se jemi dy herë më të fortë, pasi nëse jemi të tillë, këtë gjë duhet ta tregojmë në fushë dhe për këtë jemi të gjithë të përgatitur”, deklaroi kapiteni i Serbisë.
Nëse do të ishte në dorën e tij që të kthehej pas në kohë për të riluajtur ndeshjen në Beograd, Ivanovic deklaron “Do të ndryshoja rezultatin dhe pikët do ti kaloja në vendin tim. Sa i takon ndeshjes që do të luajmë nesër, ne jemi këtu vetëm për futboll dhe do të na duhet të tregojmë pikërisht atë që ka thënë trajneri De Biasi, se jemi dyfish më të fortë”.
Nga ana tjetër, kapiteni i Serbisë është krejtësisht i ndërgjegjshëm që ajo që ndodhi në Serbi nuk mund t’i rezervojë nesër përfaqësueses serbe duartrokitje në “Elbasan Arena”: “Ne nuk presim që tifozët të na duartrokasin, sikurse nuk ndodhi në ndeshjen e zhvilluar në Beograd, por është një rast i mirë për të dëshmuar se ne dimë të sillemi më mirë se ka ndodhur në të kaluarën”.
Thursday, 08 October 2015 09:36