Ish-kapiteni i Përfaqësueses së Polonisë në basketboll Tomasz Jankowski ka thënë se basketbollisti kosovar Dardan Berisha është i nevojshëm për përfaqësuesen polake pasi ai ka guxim të madh dhe ka kualitet.
Berisha ndonëse ishte zgjedhur në 12-shen finale të Polonisë për Eurobasket 2015, të dielën në mënyrë befasuese është zëvendësuar me Robert Skibniewskin.
Berisha ka thënë se këtë e ka kërkuar vetë pasi nga trajneri ishte aktivizuar në pozitën e plejmejkerit, ndërsa ai luan si fundor (dysh).
“Mendoj se zëvendësimi i Berishës me Skibniewskin është një befasi e madhe për të gjithë. Është me rëndësi tash të pyetet nëse stafi i trajnerëve ka bërë këtë ndërrim apo vetë lojtari ka kërkuar këtë”, ka thënë Jankowski, përcjell “Sportowefakty.pl” të martën, përcjell koha.net. “Gjithë situata është mjaft e çuditshme. Mendoj se na duhet dikush si Berisha në përbërje. Po flas për kualitetet e tij. Ai merr topin dhe është vrasës. Ndoshta ai nuk ka përgatitje fenomenale fizike, por mund të depërtoj dhe po ashtu mund të gjuaj nga distanca”.
Wednesday, 26 August 2015 11:39