Trajneri portugez i Realit të Madridit, Zhoze Murinjo, nuk i ndalet ironisë së zakonshme dhe këtë radhë ka thumbuar të gjithë kritikët e tij.
Ndërsa ka evituar të bëjë komente për Kaka dhe për sjelljen e lojtarëve pas ndeshjes me Malaga, ai nuk ka ngurruar të thumbojë gazetarin që e pyeti nëse kishte probleme në skuadër.
“Po, kemi probleme shumë të thella. Kemi fituar 20 nga 21 ndeshjet e fundit, janë probleme shumë të mëdha për ne”.
Si gjithmonë, nuk mund të mungojë edhe një koment ironik ndaj rivalëve të Barcelonës, duke u kujtuar se Ligën e Kampioneve e kanë fituar pa meritë. “Kampionati është turneu që dua të fitoj më shumë. Të gjithë ëndërrojnë Ligën e Kampioneve por ai është një turne që mund ta fitosh edhe pa e merituar, apo falë detajeve.
Shpesh ndodhin gjëra që nuk duhet të ndodhin, lojtarë që dëmtohen, lojtarë që skualifikohen për motive të veçanta. Kjo është arsyeja pse unë preferoj kampionatin”, tha ai duke aluduar për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve të sezonit të kaluar. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 January 2012 17:56