Munchen, 15 mars – Kampioni evropian, Inter, ka treguar muskujt e vërtetë prej kampioni. Kjo skuadër ia ka dalë të eliminojë gjigantin gjerman Bayern Munchen, ndonëse pati humbur ndeshjen e parë në Milano 1:0. Interi fitoi me rezultatin 3:2, të martën mbrëma, në stadiumin “Allianz Arena” të Munihut, ndeshje kjo e kthimit e 1/8 të finales të Ligës së Kampionëve.
Samuel Eto’o (4′), Wesley Sneijder (63′) e Goran Pandev (88′) shënuan për fitoren më të rëndësishme të Interit në këtë sezon. Në fakt, Bayerni i pati të gjitha mundësitë për të kaluar në çerekfinale, pati avantazhin prej një goli nga ndeshja e parë, epërsinë prej 2:1 në pjesëlojën e parë të ndeshjes së kthimit dhe pesë raste të qindpërqindta të humbura nga Mario Gomez (10′, 26′), Franck Ribery (35′) Thomas Muller (40′) e Arjen Robben (43′). Mirëpo, pasi shpërdoroi këto raste, Interit iu dha mundësia që në pjesëlojën e dytë të kthejë rezultatin në favor të vetin, ndryshe nga pjesa e parë Bayerni nuk mundi të shfaqte lojë të mirë edhe në pjesëlojën e dytë. Në këtë periudhë rastin e vetëm të mirë e pati sulmuesi Gomez (62′), ndërkohë që rastet e Interit ishin më të shumta. Për Bayernin realizator ishin Mario Gomez (21′) dhe Thomas Muller (31′).
Fitorja e Interit është konfirmim i forcës ndaj skuadrës gjermane, pasi po këtë skuadër e mposhti në finalen e vjetme të Ligës së Kampionëve. Me këtë triumf Interi mbetet skuadra e vetme italiane në Ligën e Kampionëve dhe në Europa League. Në këtë fazë të Ligës së Kampionëve u eliminuan dy skuadrat e tjera italiane, Milan dhe Roma.
Në ndeshjen tjetër të së martës mbrëma, Manchester Unitedi ka mposhtur Olympique Marseillen në “Old Trafford” me rezultatin 2:1 dhe është kualifikuar në çerekfinale.
B O X *********
B. Munchen – Inter 2:3 (1:0)
(Gomez 21′, Muller 31′ – Eto’o 4′, Sneijder 63′, Pandev 88′)
B. Munchen: Kraft; Lahm, Van Buyten (Badstuber), Breno (Kroos), Pranjiq; Schweinsteiger, Gustavo, Robben (Altintop), Muller, Ribery; Gomez.
Inter: J. Cesar; Maicon, Ranocchia, Lucio, Chivu (Nagatomo); Stankoviq (Coutinho), Motta, Cambiasso, Sneijder; Eto’o, Pandev (Kharja).
Man. Utd – O. Marseille 2:1 (0:0)
(Hernandez 5′, 75′ – Brown 82′ ag.)
Man. Utd: Van der Sar; O’Shea (Rafael/Fabio), Smalling, Brown, Evra; Nani (Valencia), Carrick, Scholes, Giggs; Hernandez, Rooney.
O. Marseille: Mandanda; Fanni, Heinze, Diawara, Taiwo; M’Bia (J. Ayew), Cheyrou, Remy, Lucho, D. Ayew; Gignac (Valbuena).
Vërejtje: Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para
Wednesday, 16 March 2011 10:33