David Vija mund të bëhet pjesë e negociatave për të sjellë Samir Handanoviç te Barcelona nga radhët e Interit. Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, interesimi i katalanasve për portierin slloven është rritur, por klubi italian ka vënë si kusht një çmim shumë të lartë, ose një shkëmbim lojtarësh të barazvlefshëm.
Interi i ka vënë një çmim prej 30 milion eurosh portierit, të cilin e mori vetëm një sezon më parë nga Udineze. Por katalanasit nuk duan të paguajnë këtë shifër kaq të lartë dhe fillimisht mendohej se i kishin ofruar zikaltërve Aleksis Sançez. Fjalët e Moratit se “janë të tjerë ata që bëjnë diferencën”, treguan qartësisht se një shkëmbim i tillë nuk do të ndodhë.
Emri i vërtetë që Interi synon të marrë nga katalanasit është David Vija, sulmuesi spanjoll, i cili ka humbur postin e tij si titullar të Barcelona dhe kërkon një sistemim ku të luajë me më shumë rregullsi. Afrimi i sulmuesit do të zgjidhte pjesërisht edhe problemet në repartin e avancuar të Interit, që ka vuajtur dëmtime të rëndësishme gjatë këtij sezoni dhe ka parë se nuk ka alternativa të mjaftueshme.
Drejtuesit katalanas janë dakort, por kanë bërë të qartë se nuk do të presin shumë para se të merret një vendim, pasi duan që të kenë shumë shpejt emrin e zëvendësuesit të Viktor Valdes, para se të lënë të largohet këtë të fundit. Ndaj si Interi, ashtu edhe Vija, duhet të marrin një vendim para fundit të këtij sezoni, në të kundër Barcelona do të shohë për një portier tjetër. Emra të tjerë që i interesojnë katalanasve janë Muslera, Guaita, Ter Shtegen, De Gea dhe Stekelemburg. (LajmeShqip.com)
Saturday, 27 April 2013 13:51